Turp e faqja e zezë!

Le ta nisim ditën e nesërme kështu: Të zgjohemi nga zhurma e komshiut që ndërton ndonjë gjë pa jeje të lejuar, të lahemi me kanoçe ose shishe ose ujë depozite, ose ujë me orar, të marrim rrobat që kemi var te kablli tensionit apo i telefonit, të hekurosemi, të parfumosemi dhe të shkelim mbi qese, kartona, kanoçe, letra, hekur, daulle, dokumenta, pluhur, rrënoja,gropa, dhe, baltë, llucë, arka birre, plastikërira , qelqurina, etj etj. Derisa të kemi mbërritur në punë. Të kemi hapur fejsbukun dhe të kemi shkruar ” Një ditë të mbarë të gjithëve” dhe le të nisim menjëherë nga puna. Të lexojmë dallaverin e parë, i cili ka të bëjë me një femër të njohur, të bukur, të talentuar, të pambështetur, që pret të bëhet nënë dhe që nuk e pati të lehtë jetën deri në çastin kur befas humb dhe bashkëshortin dhe , le të nisim diskutimin me koleget:
E mi se vetë e pati fajin , çí duhej asaj të bënte zgjedhjet që bëri në jetë? Nuk e merrte dot me mend ajo se kjo do ndodhte? Ajo ia mori asaj që ia kishte marrë asaj që ia kishte marrë asaj e kshu me rradhë…………..le të vazhdojmë të punojmë gjatë gjithë 8 orarëshit. Duke , jo vetëm mos bërë punën që duhet të bëjmë, por edhe të bëjmë punën e kujt s´duhet të bëjmë. GJYKATëSIT! Duke mos menduar për asnjë çast që përgojojmë padrejtësisht njerëz të cilët përveçse shohin vetëm punën e tyre, jetojnë edhe një dramë të madhe. Duke ia bërë barrën tjetrës edhe më të rëndë edhe më të vështirë. Duke e fajësuar për jetën e saj. Për atë që i përket vetëm asaj. Duke e shndërruar dallaverin tonë në tragjedi edhe më të madhe se ngjarja që e ka përfshirë atë. Por nuk bëhet fjalë këtu vetëm për dikë. Këtu bëhet fjalë për femrat në kët vend. Sidomos kur ato janë publike dhe trajtohen si kronikë rozë edhe kur mbi to ka ndodhur gjëma.
Por jo, një dallaver në 8 orarësh nuk mjafton. E si do ti justifikonim ato orë plot lloqe nëse nuk do të ishin fejsbuku e bloge të tjera ku të gjithë i urojmë ditë, javë, muaj e vite të mbara njëri tjetrit duke mbllaçitur plot vrer mbi femra që fatkeqësisht hyjnë në gojët e kujtdo pa vullnetin e tyre. Por thjeshtë sepse të gjithë ua dinë historitë, ngaqë bota nuk ngopen kurrë së foluri edhe gjatë 8 orarëshit të gjumit madje.
Dallaveri i dytë: Një tjetër femër , 15 vjeç e cila pretendon se është dhunuar seksualisht nga pedagogu i saj 45 vjecar , qysh kur ajo ka qenë 11 vjeç duke rrëfyer se marrëdhëniet e tyre seksuale kanë qenë formë shantazhi që profesori bënte ndaj saj , duke e kërcënuar me përjashtim nga shkolla . Njëkohësisht e akuzuar për shantazh , orgjira dhe kurvërira nga pedagogu i saj . Dhe, meqë ne si GJYKATëS pa portofol, nuk na rrihet pa gjykuar, ndëshkojmë vajzën , nënën , babain dhe familjen e saj dhe lexojmë plot ëndje nëpër revista si hero , shembull e model, pedagogun , lakuriq , me gruan lakuriq dhe me dy fëmijët e tyre lakuriq nën tituj të tipit : Ja se si më futi në kurth 15 vjeçarja që unë kisha vendosur të përjashtoja nga shkolla kur mora vesh se bënte orgjira me filanin e fistekun . Ku flet edhe për libra me orgjira fëmijësh dhe ëndrra pornografike mes nxënësve të tij , të mirëbesuar nga familje të profileve të ndryshme shoqërore. Me bindjen e thellë se fëmijët nga ai do mësojnë të jenë aktorë të mirë, shkrimtarë e këngëtarë .
Dhe pas kaq vitesh mes fëmijësh, ky pedagog që edhe lakuriq e gjen nëpër kopertina revistash me tituj profesionalë, pas 8 vitesh drejtues i një shkolle arti fëmijësh , publikon një libër pornografik ku gjasme “nuk” flitet për nxënësen e tij 14 vjecare.
Dhe nisim dialogjet me koleget : Jo mi ti po janë prish fare gocat e vogla. Shih ça bëjnë ëëë. I shkon mëndja deri tek orgjirat. Deri tek shantazhet. I shkreti burrë. Ajo, ajo, ajo e ka fajin. Spërdridhen mi kto tvoglat, ska faj ai………….etj etj etj duke harruar se flasim për një FëMIJë!
Neveri! Neveri më vjen nga kjo shoqëri që në vend të bëjë punën e vet, pra të punojë për një shoqëri më të mirë, i plotëson 8 orarëshet duke drejtuar gishtin nga të tjerët. Duke mbajt qëndrime. Duke bërë moral. Duke uruar ditën e mbarë fejsbukut dhe ditën e zezë femrave që presin të bëhen nëna dhe fëmijëve që presin të bëhen gra. çfarë shoqërie! Sa e neveritshme të rrosh e të vdesësh në këtë shoqëri që çdo 8 orarsh e zhyt edhe më në llum veten e vet!

Leave a comment

No comments yet.

Comments RSS TrackBack Identifier URI

Leave a comment