Me nje frymë

Ta marr
E ta ruaj
Si mish
të huaj
Në trup
Ta ruaj
Këtë send
Këtë objekt
Këtë mall që më pret
Të bëhet
malli im

Pra të jetë hall

Ngarkim
Shkarkim
Shkëmbim
Shërbim
Shqetësim
Shpërblim
Shpartallim
Material
Është material
Ky peng që më mban peng
Të vlerës së vet
TË MIAT
Tullat
Llaçi
Balta
Dheu
Toka
Lumi
Deti

Një liqen
Më i madh se një
oqean

Dhe shiu pik pik pik
Pushton gjithësinë
Me ushtarët e tij!

Duhet ta ruaj xhaketën
Se mos më laget!
Se mos më bëhet qull nga shiu
Xhaketa me gëzof ariu
Që paskëm veshur sot!

Mantelin e hekurt
Do ia vesh gjithckasë
Të mos e cpojë dot kurrë
Asgjë tjetër.

Veçse njeriu
Veçse njeriu

Me lëkurë pa qime
Të lëmuar
Të butë
Të lyer
Përlyer
Në llaç industrial
Titulluar “ KREM”

Edhe sot pa mburojë paskëm dalë ?!

Me ngulin çengela në sy
Më tërheqin me zinxhirë zvarrë
Më bëjnë fërtele
Më grijnë në asfalt

Gëzofi i ariut ku jam fshehur
tërheq gjahtarët pranë
Skllevërit e tregut
Të tregut të lirë
Pa fre
Me zinxhirë të hekurt
Lidhur natyrën

Tashmë është CIRK
çdo copë e saj

Barkun
E natyrës
E kanë bërë të pjellë
Gjithçka tjetër
Asgjë të re
Prej mitrës së saj

Të kanë mbarsur me shkallmime
Moj natyra ime!

Ruaje , ti ruaje llogarinë bankare
Gjithmonë e më shumë pare
Pare, pare, pare
Pare k’nej
Pare anej
Pare veni
Pare të jashtme
Pare pare pare pare
Letër letër letër
Edhe një pemë tjetër
Bam bam bam
Sopatën e kam elektrike.
Elektronike
Teknologjike
Mos ma merrni sharrën e telekomanduar
Ka miliona pemë që duhen sharruar
Që t’i shesim

Natyra
Me ngjyra
Ka vdekur
Tani ka edhe më shumë ngjyra
Nëpër natyra
Të vdekura,
Sesa
Natyra e vjetër
Që printohet
Me cilësinë më të lartë
Se vetë natyra
Pa ngjyra
E vdekur
Që printon në letër
Me një kolorit tjetër
Të vërtetën e thënë ndryshe
Të veprave të saja.

Disa ekzistenca janë planete!
Disa të tjerë janë botë më vete!
Të tjera ekzistenca janë gjithçka tjetër!

Gjithçka me ngjyrën e vet
çdo ngjyrë është tjetër
Gjithçka është një pafundësi
Vetesh
Vetvetesh
Vetë dijesh
Veprimesh
Një hiç i mbushur me gjithcka
Që mund të kthehet edhe në një zbrazëtirë të shkretë
Të mbushur me boshllëk
Shumë shpejt

Sepse e hamë , ne e hamë
Ne hamë
Ata hanë
Ajo ha
Të gjithë
edhe gjithçkaja
Do të ushqehet me diçka
Edhe asgjëja
e shkretë !

Përfundon
Një ditë përfundon gjithçkaja
Dhe gjithçkaja të gllabëron
Në asgjënë e vet!

Le të peshkojmë
Peshku nuk na shërben në det
Por në tigan
Më mirë
Ta djegim shpejt
Edhe këtë zog të gjorë
Ta bëjmë përshesh këtë botë

Nga çdo tjetër gjallesë
Sepse , për besë
Tani që po të shoh në dritë
Do të t’i kisha ngrënë sytë

Po të mos e dija se nuk ka më të mirë se syri i peshkut
Po të mos e dija me siguri se nuk ka më mirë se mishi i tij
Mishi i një peshku të freskët
Të sapo peshkuar
Nga ky trup njeriu, i ushqyer
Me mish e sy peshku
Të stërpjekur
Nëpër furra
Me korrent. gaz
Të ngrirë nëpër frigoriferë
Të transportuar me automjet, aeroplanë etj.
Nga deti në det

Peshku i shkretë
Që do të nisë të harrojë të notojë
E do të dalë prej detit vetë e do të na përplaset nëpër pjatë
Gati për të qenë një ushqim i mirë
E i denjë për barkun që e ha
Do të vijë vetë
Dhe peshkimin do ta harrojmë si sport
Peshkimin , ah …peshkimin…..

Do ta harrojmë shumë shpejt!
Fëmijët?! Cilët fëmijë ?!
Tanët , tanët!
Të kujt? Kush flet aty me gjuhë njeriu?!

Njeriu pra, njeriu jam!

Akoma flitke ti?! Akoma u thokërka diçka?!
S’paska marrë fund çdo kuptim?!

E ruaj , e ruaj për në fund
Veten si ëmbëlsirë
Pas vaktit tim të tretë
Në këtë jetë
Të pamëshirë
që po mbaron
Shpejt!

Advertisements

Në Rënië

Në dritë
Të gjitha në dritë
Gjithçka
Në dritë
Në dritë

E zeza në dritë
Është sterrë
E zezë
Në terr
Është vetë vetja e vet.
Një kangur në bark të nënës
Së Tij.

Në dritë
Gjithçka
Ka përmasën e vet
Formën e vet
Ngjyrën e vet
Ka.

Në terr ka vetëm aroma
Dhe fjalë
Prekje
Dhe plot
Errësirë.

Në dritë,
Sapo më çanë në bark
Mëlçia më doli
në dritë

Dielli shkëlqente
Mëlçia shpërthente
Si thikë ia ngulte rrezet
Zemrës së saj

Le të dalë në dritë
Gjithçka!
Në dritë shohin me lehtësi
Sytë.

Ky diell
Ah,
Kjo rreze,
Po m’i ther kockat
Po m’i nxjerr sytë
Po më ha veshët
Po më gërryn

Kjo dritë
Kjo rreze
M’i veshi sytë

Oh dritë më lësho,
S’më mbet më asgjë.
U fika tërësisht,
Kur u përplasa me ty.

Kjo shfaqje po zgjat
Dhe unë s’mundem më
Në terr dua të strukem
Të jem veç një zë
Një aromë
e djegur

Ah shpina,
Në terr
Diçka
Ther

Kush ?
Pse?
Kush është atje?

Frikë frikë
Një tjetër thikë
Një tjetër majë
E mprehtë
Ther

Pik pik pikëllimi
Rëndë rëndë po marshon
Drejt drejt drejt drejtimi
Mua më pushton

Më rrotullon në duar
Më prek me gjuhë
Më shtyp me këmbë
Dhe nuk ndalon

Iriq jam
Qimet kam përpjetë
Kruspull
Vetëm kjo më ka mbet’

Rrotull rrotull rrotullohem
Majat e lëvozhgës mpreh
Larg larg larg largohem
Në rënie të lirë ,
Fle

Në rënie të lirë zgjohem

Në rënie në rënie në rënie jam
Liria është e vetmja poltronë që më mban
Gishtërinjtë si flatra i hap

Tokën përmjer dhe pështyj
Po bie mbi ty
Mbi ty

Në rënie të lirë
Në hapësirë

Dhëmbët gëlltis
Të mos i thyej
Këmbët mbledh
Kurrizin përthyej
Kokën e thith me mushkëri
Zemrën e ngec në vend
Në rënie të lirë jam lëshuar
Dhe koha shpejt rend
Rend, rend

Shtrëngoj çdo fije muskul
Shpirtit t’i bëhem dyshek
Në rënie të lirë jam lëshuar
nuk dua të vdes
S’du me vdek.

O zogj më mbani
Po bie
O degë më kapni
Mos vritem
O kohë ndaloje pak vrullin
Goditje ji e butë!

Oh, nuk ka fjalë shpejtësia
Ka vetëm një rrugë për atje
Kjo pesha e supeve të mija
Po më fundos në dhe’

Kujdes !
Brinjën mos thyesh
O peshë!
Frymën ta mbash
dëgjon
Kockat mos t’u bëfshin
Përshesh!

Lëshoma fytin
Tek unë mos u ngjesh!

Çliro një vullkan o Mëma Tokë
Të më ngresh sërish përpjetë
Që të zgjas dhe pak në ajër
Mëmë,
Bëma pak më të lehtë!