Rrezik Zjarri

Gjatë mbrëmjes së 31 dhjetorit 2008, rreth orës 20.00 në sheshin e masakruar “Skënderbej”, përballë Pallatit të llokmavitur të “Kulturës”, me shpinë nga e “ardhmja” që lulëzon mbi betonin e një ish-shatërvani, përbri Muzeumit Historik të një kombi pa dije e respekt për Historinë e vet, në pritje të zjarrvënësve të së djeshmes, kishin zënë vend tregtarët e fishekëve të zjarrit. Mbi dhjetë burra të palarë e të pangrënë, të cilët dukej qartë se po thanin së ftohti, ngjitur me njëri-tjetrin, mbi kuti kartonësh kishin mbështetur fishekzjarrët gjysmëmetroshë, të cilët kujdeseshin t’i lustronin e tregonin sa më qartë. Shashkat, pëlcitëset, zjarrnajet kishin nisur që më parë. Pas orës 12 të natës do të vinte koha e fishekëve të mëdhenj të zjarrit, të cilët nëpër duart e të papërgjegjshmëve do të ishin kërcënimi i çdo kalimtari atypari.

Ndërkohë, Shqipëria e kish nisur zjarrvënien e pëlcitjen që më parë. Orë më parë, ditë më parë, muaj më parë, vite më parë.

Një natë më parë ish djegur makina e Mero Bazes, e cila natyrisht nuk mund të kish qenë shkaktuar prej një shkëndije të rëndomtë elektrike.

Që në fillim të muajit dhjetor kishin nisur të vegjlit e huliganëve të mëdhenj të pëlcisnin shashkat e tyre traumatike vend e pa vend. Nën makina, nën fustane, nën torba, nën këmbë, nën çati, nën tavane, nën kartona, nën gjithçka, duke i shkaktuar ankth e frikë çdo qytetari, të cilët, duke paramenduar si do të reagonin e silleshin, nëse do ta kapnin mat ndonjë prej kolopuçëve kriminelë, e shtyjnë gjithë muajin dhjetor me sy të zgurdulluar e të shqyer në katërsh për t’iu ruajtur “rrezikut”.

Pak kohë më parë fabrika më e madhe e drurit në Shqipëri digjet plotësisht, si pasojë e ndonjë hakmarrjeje banale nga ndonjë i pakënaqur.

Pak ditë përpara saj, mbase një a dy, një tjetër magazinë e madhe në autostradë merr flakë. Edhe pse ekspertizat e diagnozave të parapërgatitura si shkak zjarresh kudo qoftë nxjerrin shkëndijëzat, nuk dukej aspak si aksidental as ky zjarr.

Ndërkohë, disa muaj më parë, një fshat i tërë shpërtheu mu në zemër të Shqipërisë, e përveçse shkaktoi dhjetëra të vdekur e qindra të pastrehë, e një mori njerëzish të tronditur e të braktisur në mes të helmeve që pasuan prej shpërthimit të armatimeve të çmontuara prej varfanjakëve e të miturve në këmbim të një kafshate bukë nëpër depo “minjsh”, popullarizoi mbi çdo fshat tjetër të atdheut të nderuarin “Gërdec”.

Flakët dhe tymi i Gërdecit janë të paharrueshme.

Shpërthime e zjarre kishin ndodhur edhe në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan. Ndërkohë, vit pas viti malet dhe fushat e Shqipërisë digjen nga fshatarët për arsye nga më të rëndomtat, duke ia marrë frymën këtij populli me tym të zi.

Dymbëdhjetë vjet më parë u dogj e gjithë Shqipëria. Armët dhe bombat nëpër duart e kujtdo janë një panoramë e paharrueshme për të gjithë ne që e kemi jetuar plotësisht ‘97.

Zjarre, kur erdhi Liria dhe Demokracia. Zjarre, kur iku Mbreti dhe erdhi Partia e Punës në pushtet. U dogjën libra, Kisha, Xhami, pasuri.

Kësisoj, fishekzjarrët e “Vitrinjve” nëpër pazare e sheshe publike nuk janë asgjë më shumë sesa një gjellë e gatuar me barut për të ushqyer barqet e piromanëve shqiptarë që zjarrin e paskërkan dashur fort, historikisht.

Shumëkush mund të më hidhet në “fyt” e të më tregojë se nuk është vetëm Shqipëria maniake zjarresh të kësisojta. Dhe fare mirë mund të më japë shembuj Italie apo tjetër vendi nëpër botë ku fishekzjarrët për festa shkaktojnë njëlloj dëme dhe tensione.

Keq për ta gjithashtu, që kërcënohen nga të tilla rreziqe në fund të vitit. Unë nuk mundem dot ta shoh të digjet pa teklif vendin tim dhe të dëshmoj se si zjarrvënia (një mënyrë primitive e të kërcënuarit dhe e të marrurit hak), jo vetëm të vazhdojë e të shtojë numrin e dëmeve që i shkakton vendit dhe bashkëkombësve të mi, por edhe të na kërcënojë të gjithëve çdo ditë e çast me ndonjë pjekje të paparashikuar mbi ndonjë turrë drush, ku sipas ekspertëve patjetër do të ketë qenë shkaktare ndonjë shkëndijëz elektrike apo ndonjë gabim njerëzor.

Leave a comment

No comments yet.

Comments RSS TrackBack Identifier URI

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s