Lamtumire Perqindje!

Qeveria vendosi që me ngut të madh të shesë të gjitha aksionet e “shtetit” te “privati”. Në një kohë krizash si kjo që po kalon e gjithë bota, të duket jo vetëm i justifikueshëm ky vendim, por edhe i dobishëm e emancipues. Po të bëhej fjalë për ndonjë shtet tjetër, ky do të tingëllonte si një vendim shumë pozitiv. Një vendim që do të çlironte njëherazi edhe biznesin, edhe shtetin nga përgjegjësitë apo papërgjegjshmëritë, pasi biznesi do të fitonte pavarësinë, ndërsa shteti një dhembje koke më pak. Secili nga të dyja palët do të niste të përqendrohej në prioritetet përkatëse e kësisoj një biznes i pavarur do të fuqizohej më lehtë e më shpejt duke krijuar edhe shumë mundësi të reja. Sikurse edhe shtetbërësit do të fokusoheshin në prioritete të një karakteri pak më social, duke mos qenë më pjesë e një “loje”, e cila shpeshherë është e pistë.

Mirëpo bëhet fjalë për Shqipërinë dhe qeverinë e Shqipërisë. E kur e sheh ngutin e këtij vendimi në sytë e kryeministrit, si dhe pasi je njohur me të rejat e fundit nga përfshirjet e qeverisë në lloj-lloj ndërmarrjesh abuzive në lidhje me kompani të fuqishme, ku të dyja palët janë “pronare”, bëhesh skeptik. Nis të kërkosh çfarë fshihet pas!

Gjatë një bisede mes meje ( I. Gj. Zh.) dhe Mr. G. (një profesionist i financave, i cili bëri një analizë shumë interesante rreth kësaj çështjeje), meqenëse doja të dija më shumë që më pas të arrija në një konkluzion, u thanë këto gjëra:

I. Gj. Zh. – Kam nevojë për ndihmën tënde. Shpresoj të kesh pak kohë dhe të mos bëhem e bezdisshme, por mendoj të bëj një shkrim rreth vendimit të Berishës për të shitur aksionet e shtetit te kompanitë e mëdha. Më jep dot një opinion nga ana profesionale? Unë e kam një opinion timin, por e kam thellësisht intuitiv. Ti si mendon?

Mr. G. – OK po e filloj çështjen e aksioneve që nga zanafilla.

Ideja që shteti të privatizojë shumicën dhe të mbajë një paketë minoritare është një ide, partizan i së cilës në vend ka qenë z. Arben Malaj si fillim, dhe këtë e mbaj mend mirë nga diskutimet që janë bërë asokohe. Kështu u privatizua AMC. (Madje, Beni ka qenë i fiksuar që në privatizimet e mëdha formula të ishte 76% për privatin dhe shteti të mbante 24% të paketës.) Kështu u bë me Albtelekomin dhe për inerci edhe me ARMO apo OSSH.

Mendimi im atëherë ka qenë se kjo është një ide idiote. Kjo për arsyen se: 1. përfaqësuesit që cakton shteti ynë në Borde janë të korruptueshëm lehtësisht nga privati; 2. baza ligjore te ne nuk garanton mbrojtje adekuate të interesave të aksionerëve minoritarë, kështu që territori i veprimit të shtetit si minoritar është i kufizuar shumë (shih ligjin për shoqëritë tregtare).

Në fund të fundit, përse do ta mbante shteti 24% të paketës??? Arsyeja për monitorim s’ka sens, pasi shteti ka ent rregullator për telekomunikacionet e energjinë dhe mekanizma të tjerë kontrolli.

Pastaj shtetit i duhet cash-i për ta investuar në projekte të tjera, nuk e ka shitjen me dy mendje. Apo jo?! Pastaj, edhe përvoja p.sh., me AMC ka qenë e keqe, ku aksioneri mazhoritar hollon (dilutes) pjesën e shtetit me lloj-lloj trukesh fiskale.

Kështu që shkurt, ideja e mbajtjes se minority stake thjesht SUCKS, ka qenë ideja me idiote.

Tani, në rastin konkret, Berisha po bën një gjë të mirë. Por motivet që e shtyjnë pse pikërisht në këtë moment, s’janë të mira. P.sh., OSSH dhe ARMO ai sapo i hodhi në treg me këtë formulë (me 24% aksione shtetërore), pse tani ndërroi mendje!? Albtelekomin a nuk e privatizoi ai me formulën e vjetër 24%?! N.q.s. Berisha nuk do të ishte ky që është, do t’i thoshim bravo. Problemi është se, pikërisht se është ky që është, kemi të drejtë ta paragjykojmë… Atë dhe qëllimet e tij!.. Mendoj: Berisha do cash. Financat shtetërore s’janë në gjendje të mirë. Ose..do t’i bëjë ndonjë nder miqve të tij privatë të Albtelekom, apo OSSH, apo AMC, apo ARMO…pasi ndonjë nga këta ka ndërmend t’ia shesë aksionet ndonjë firme tjetër të huaj. Në rastin ku shteti ynë ka minority stake, kjo bëhet një faktor pengues. P.sh., shiko rastin e Cereberus që bleu 80% të Chrysler nga Daimler Benz. Daimler mbajti 20%, Cereberus kërkoi pak muaj më parë t’ia blinte 20% Daimler-it dhe ky i fundit nuk pranoi..Qëllimet u dukën, kur tani Cereberus do ta bashkojë Chrysler me General Motors, që të bëhet merger ChryslerGM. Pra, edhe kjo mund të jetë… Kjo do të shihet, n.q.s. ndonjë nga pronarët e rinj privatë të Albtelekom, apo OSSH, apo AMC, apo ARMO, e rishet shpejt firmën pas blerjes nga shteti ynë… Kam frikë se kjo është…dhe më duket më shumë rol ka këtu ARMO… E kupton kush e ka blerë?!.. Dhe ai e ka mik…. E kështu, do ta rishesë, si duket.

I. Gj. Zh. – Edhe unë kam bindjen se Berisha e ka keq buxhetin dhe kam përshtypjen që një nga kërkesat e të huajve që vijnë në Shqipëri si investitorë potencialë, është që shteti të ketë sa më pak borxhe. Besoj se, edhe nëse për kushtet e Shqipërisë mund të ketë patur rritje ekonomike këto kohë, (pará të cilat unë nuk e kuptoj ku investohen, përderisa në raport me taksat doganore që paguajnë bizneset e mëdha në Shqipëri duhej të ishte rindërtuar çdo ditë nga një qytet i ri), për të huajt është fare pak. Sepse ata rezultatet e këtyre lloj reformave i kanë kaluar me fitime kolosale. Në lidhje me zhvillimet ekonomike në botë mendoj se kurba do të nisë të zbresë. Kam përshtypjen se bota i ka mbërritur majat në zhvillim. Ndaj dhe ka kolaps ekonomik. Nuk kanë më çfarë shpikin. Ia kanë gjetur limitin vetes. Ndaj dhe interesi i kompanive të mëdha për të shpëtuar “mëmat” përqendrohet në vende ende të pazhvilluara, dhe investimet në vende si Shqipëria do të shërbenin si mburojë.

Dhe, meqë Berisha i lut të investojnë këtu, duke ia falur Shqipërinë, ata duan të kenë minimalisht garancinë e një shteti që ka njëfarë buxheti, aq sa të mos i rëndojë mbi shpatulla gjithmonë bizneseve.

I kanë vënë ndonjë detyrim për të mbërritur një X buxhet dhe ky tani po shet çfarë i ka mbetur, meqë taksat e Shqiptarëve i bëri Gërdeca!

Mr. G. – Kam në fakt më shumë frikë se Berisha po e bën këtë gjë, jo aq për të siguruar të ardhurat, por për t’i ndihmuar miqtë e tij që kanë privatizuar ARMO dhe Albtelekom, sepse këta miq më duket kanë ide për t’i rishitur këto të dyja.

Konkretisht:

1) blerësi i ARMO-s është shqiptar dhe ai po has shumë probleme për të siguruar financim për blerjen, kjo për shkak se çmimi i naftës nuk eci sipas parashikimeve të tij dhe tregjet e kapitalit janë të ngrira për momentin. Nuk hedh njeri pará për tregje emergjente, kur çmimet e energjisë po bien çdo ditë.. Kështu që, n.q.s, Berisha ia jep 100%, atëherë shanset për ta rishitur rriten. Plus që mund ta vendosë gjithë firmën si kolateral (gjë që do të ishte shumë problem, n.q.s. shteti do të kishte minorancën).

Ky blerës shqiptar mori hua 2 milionë euro edhe për ndeshjen e Milanit me kolateral shkollën “Nobel”. Merre me mend sa likuiditet ka të blejë ARMO-n vetë…

2) blerësi i Albtelekom ka probleme, sepse edhe ai është i lidhur me sektorin energjitik, naftë/gaz, i cili është në krizë për momentin, plus ekonomia turke po goditet shumë rëndë nga kriza e kreditit, Erdogan që e ka dhëndër do të ketë probleme politike nga recesioni dhe kështu mbase pronari i Albtelekom do ta heqë qafe këtë aset ose ta kolateralizojë për një hua të madhe (gjë që është e lehtë, n.q.s je 100% pronar). Fundja, Albtelekom nuk është investim strategjik për të…

Ama kjo është një gjë e rëndë, n.q.s. kryeministri vihet në dispozicion në këtë farë feje të këtyre bizneseve dhe nuk tregon arsyet. Kjo hedh shumë dyshime për lidhjet e tij me këta. Për çmimet me të cilat u shitën etj..

Ose mund të jetë kështu: Berisha me një gur vret dy zogj: hem siguron cash (privatizimet i pëlqejnë shumë FMN, dhe ky mund të jetë si kusht për allowance e huamarrjes tregtare), hem u bën një nder miqve të tij privatizues.. kundrejt ndonjë favorthi të vockël.

Desha të shtoja një gjë. Pse Berisha bën gomarllëqe me këto huatë tregtare që kërkon të marrë?! Apo, nga etja për të siguruar cash me çdo kusht?!…

E merr me mend sa përqindje do të arrinim ne me kredi tregtare? Ndoshta Eurolibor +7% d.m.th, nja 12% në vit në euro. A ka leverdi kjo për ne? Aspak, pra është një ide ultra-idiote.

Mirëpo Berisha kërkon të marrë të paktën 500 milionë euro me kushte tregtare, sepse kërkon me çdo kusht të bëjë rrugën Durrës-Kukës para fushatës… Ai mund ta arrinte këtë shumë lehtë: Të lëshonte një Eurobono të denominuar në Euro dhe një Dollarbono të denominuar në dollarë për tregun shqiptar. Ka shumë kursimtarë që i kanë hequr kursimet e tyre në valutë nga frika e krizës. Këta do të ishin të lumtur të merrnin interes vjetor p.sh., 8% n.q.s. ia jepnin borxh qeverisë paratë e tyre.

Nga kjo të gjithë do të përfitonin:

1. Qeveria, që do të merrte borxh më lirë dhe për më tepër nga investitorë vendas që i ka më të kontrollueshëm e më stabël, si dhe 2. investitorët. Pasi këta në vend t’i transferonin paratë jashtë ose t’i mbanin nën jastëk, do të fitonin interes (pse ta fitojnë të huajt)?! Do të thuash ti.. qeveria e bën këtë me bonon e thesarit.. Ah, jo. Se këto janë të denominuara në lekë dhe shumë njerëz nuk kanë besim te leku. Sidomos në këto momente. E vetmja zgjidhje do të ishte bono në valutë për tregun e brendshëm.

Madje, unë do ta çoja këtë më tej… Një pjesë të këtyre bonove në valutë qeveria mund t’ua huazonte bankave të nivelit të dytë dhe këto do të menaxhonin më mirë. Kjo do të kish qenë një zgjidhje, duke patur parasysh krizën e lehtë të likuiditetit, me të cilën po përballen. Sado që guvernatori ynë nuk flet për këtë krizë, do të përballen më shumë në të ardhmen e afërt..

Kjo ishte biseda midis meje dhe Mr. G., të cilin e falënderova shumë që foli kaq hapur e lirshëm me mua. Që pranoi që unë ta botoja këtë bisedë. Dhe që ekziston!